RREGULLONI MENDJEN…QË TË RREGULLONI TRUPIN – TAF

Fillimisht shëroni mendjen dhe zemrën tuaj

 Pjesa fizike është e lehtë. Është pikërisht pjesa mendore dhe emocionale pjesa më e vështirë.

“Vetëm të mund të bija në peshë, do të ndihesha shumë më mirë me veten time.”

Shumë prej jush mund ta kenë menduar apo e mendojnë këtë edhe unë e kam menduar, por kjo nuk është e vërtetë. Nuk kemi arritur në pikën tonë më të pashëndetshme duke menduar pozitivisht apo duke praktikuar rutinë jetësore të shëndetshme. Ne kemi ndaluar së bëri veten tone prioritet, kemi filluar të përdorim rehatinë në çdo gjë, ushqimet e shpejta për të përballuar jetën frenetike e me shumë gjasa jemi ushqyer me vetë-urrejtje. Prandaj, çfarë na bën ne të mendojmë se “trupi perfekt” apo një fizik i mrekullueshëm do të na rregullojë vite të tëra me probleme?

Diku shkruhej se obeziteti nuk është problem – është një simptomë. Kjo thënie ka vërtet kuptim. Ndërkohë që ushqimi është karburant për trupin, që ai të lëvizë e të rritet, është kthyer krejtësisht në tjetër gjë. Për shumë prej nesh, ushqimi është një fare shpërblimi për një javë shumë të ngjeshur në punë apo për të përballuar pengesat e jetës. Shumë prej nesh ngushëllohen tek ushqimi dhe ne hamë kur jemi të stresuar apo të mërzitur. Ushqimi përdoret si një lloj mjeti për të përballuar jetën. Për disa, ushqimi mund të bëhet edhe një lloj varësie, efektet e të cilit ngjasojnë me atë të drogës.

Ka një numër arsyesh, se përse ne dalim “jashtë shinash”. Shumë prej nesh kanë akoma çështje të pazgjidhura të së shkuarës. Janë këto çështje që mund të kenë shkaktuar një marrëdhënie të pashëndetshme me ushqimin. Qofshin këto probleme të lindura nga abuzimi, bulling, fjalet e ashpra, por jo të qëllimta të prindërve, qoftë një marrëdhënie e dështuar në çift apo edhe mungesa e një edukate në të ushqyerin shëndetshëm, pa u gjetur zgjidhjen këtyre, do të jetë e vështirë që të arrihet një mënyrë jetese e shëndetshme.

 

Ja përse, nëse filloni të rregulloni fizikun fillimisht është një gjë që nuk funksionon

Edhe pse është e mundur që të arrihen objektivat edhe pa i zgjidhur këto konflikte të brendshme, ka shumë gjasa që të jetë e vështirë ta mbani atë që arrini. Është shumë e lehtë të rikthehesh në zakonet e vjetra, sidomos nëse besoni se mundi që po bëni është i përkohshëm. Nëse ndryshimit të mënyrës së jetesës nuk i jepet një zgjidhje, pesha dhe problemet shëndetësore do të rikthehen.

Kur arrihet një transformim shëndetësor, ju bëheni një tjetër person. Duhet pak kohë që të kuptoni se kush jeni. Personi që ju shihni në pasqyrë ka ndryshuar dhe ju mund të mos e njihni atë. Njerëzit mund të fillojnë t’ju trajtojnë ndryshe dhe jo gjithmonë pozitivisht. Miqtë mund të mos ju ftojnë më nëpër aktiviete, pasi tani keni zgjedhur jetën e shëndetshme. Madje mos u çuditni që do të keni edhe njerëz shumë të dashur për ju, që nuk do t’ju afrojnë më. Ndoshta janë thjesht xhelozë. Ose, ndoshta ngaqë prezenca juaj u kujton faktin se duhet të lëvizin edhe ata nga vendi e të bëjnë diçka për trupin e jetën e tyre.

Ndoshta edhe ju do t’ju duhet kohë që të mësoheni me këtë rutinë e mbi të gjitha me ciklin e ndjesisë së fajit. Ai cikli kur ju hani për tu ndjerë mirë dhe më pas ajo ndjenja e fajit se përse e hëngrët atë “ushqim të keq”. Dhe pas atij momenti vetë-urryes, ju hani sërish që të ndiheni më mirë e të ngushëlloni veteb dhe kështu ky cikël sillet rrotull e rrotull. E sigurisht, këtu është i përfshirë më së shumti vetë-sabotimi.

Por jo gjithçka është e humbur. Është e krejtësisht e mundur që ky cikël të prishet. Është e mundur që pjesa më e madhe e atyre çështjeve që ju mbajnë peng të zgjidhen. Është e mundur që të instalohen zakone të shëndetshme dhe të ktheheni në atë personin e shëndetshëm e të lumtur.

 

Këshilla për të shëruar mendjen tuaj:

1. Kini vullnetin për të gjetur rrënjën e problemeve tuaja të vërteta. E nëse keni bërë gjithçka dhe prapë ju duket e pamundur, ndoshta ndihma profesionale do të ishte e nevojshme. Është një mjet për ta çuar mendjen dhe zemrën në vend.  

2. Kuptoni që çfarëdo që ju të bëni për të arritur qëllimin tuaj, do t’ju duhet ta bëni përgjatë gjithë jetës suaj, për ta mirëmbajtur (për shembull: të ushqyerit më mirë, të qënurit aktivë, lënia e duhanit apo alkolit etj)

3. Gjeni shkakun që ndez të ushqyerin tuaj emotive dhe gjeni alternative se si mund ta rregulloni e t’i kapërceni këto situate.

4. Kuptoni njëherë e mirë që nuk ekzistojnë mrekullitë. Asnjë pilulë, dietë apo produkt i reklamuar nga një celebritet do të zhbëjë vite të tëra të ushqyeri keq apo një bisedat negative me vetveten.

5. Mos u shqetësoni nëse shpenzoni më pak kohë me ata njerëz që nuk ju mbështesin apo që nuk kontribuojnë në zgjedhjen tuaja të shëndetshme. Ata edhe mund të duan më të mirën për ju, por në mënyrë të pandërgjeshme po sabotojnë mundin tuaj.

Ju meritoni të keni një jetë të shëndetshme e të lumtur. Shëroni mendjen tuaj. Shëroni trupin.

 


FIT NË 12 JAVË

Ju lutemi, pelqeni dhe shperndani

Leave a Reply